Qendra rinore rajonale, votohet për sekretarin e përgjithshëm

27/01/2017 00:00

Gjashtë vendet e rajonit janë mbledhur sërish në Tiranë për vënien në funksion të Zyrës Rinore Rajonale, RYCO, të inauguruar vjet në muajin dhjetor.

Këtë të premte po votohet për një nga 3 kandidatët në garë për postin e sekretarit të përgjithshëm të saj. Ministri shqiptar i Rinisë, Blendi Klosi, i cili drejton gjithashtu bordin e Zyrës Rajonale tha se bashkëpunimi i të rinjve në rajon duhet të ecë me shpejtësi.

“Përzgjedhja e sekretarit të përgjithshëm është një moment shumë i rëndësishëm, pasi fituesi do të marrë në dorë punën për të finalizuar procedurat për hapjen e zyrës dhe zbatimin e plotë të planit që ky bord ka miratuar. Është shumë e rëndësishme të përmendet se RYCO është një mekanizëm që ende nuk është buxhetuar”, tha Klosi.

Si pjesë e programit të saj për paqe dhe siguri, OSBE ka qenë e angazhuar për përkrahjen e të rinjve që nga krijimi i saj në ‘75 dhe përfaqëson një nga përparësitë themelore të kryesisë austriake të OSBE-së për vitin 2017.

“Rinia ka rol thelbësor për forcimin e sigurisë dhe konsolidimin e paqes e demokracisë. Prandaj, OSBE-ja e mirëpret këtë nismë të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u angazhuar në nxitjen dhe bashkëpunimin rajonal të rinisë. Vendimi unanim i shteteve të RYCO-s për të caktuar zyrën qendrore në Tiranë është tregues i entuziazmit për krijimin e partneritetit dhe ndarjen e përgjegjësive të përbashkëta. Është kënaqësi për ne t’ju mbështesim në këtë nismë”, deklaroi ambasadori Bernd Borchardt.

Top Channel