“Australian Open”, rikthehet finalja Federer-Nadal

27/01/2017 00:00

Në tenis rikthehet finalja e ëndrrave mes Roger Federer e Rafael Nadal. Është pikërisht “Australian Open”, ngjarja ku rivalët e përjetshëm do të ringjallin klasiken e këtij sporti, në një finale të cilën e përjetuan edhe përpara 8 vitesh, e në atë kohë ai që fitoi ishte spanjolli.

Ndërsa Federer, një ditë më parë arriti bëjë të tijin derbin zviceran me Wawrinkën, Nadal eliminoi Dimitrov 3-2 në një ndeshje epike që zgjati 4 orë e 56 minuta.

Nadal e nisi fort sfidën, teksa fitoi setin e parë pa shumë probleme 6-3. Seti i dytë kishte shumë histori, pasi tenistët preferonin më shumë të fitonin me shërbimet e njëri-tjetrit. Në këtë fraksion, ai që mori më të mirën ishte Dimitrov, që e fitoi setin 7-5.

Seti i tretë dhe i katërt ishin të ngjashëm, Nadal e Dimitrov arritën t’i zgjidhnin ato vetëm me “tie break” për ta çuar sfidën në setin final. Pika kyçe e këtij fraksioni loje ishte “game” i tetë, kur Nadal u gjend në disavantazhin 15-40. Spanjolli arriti të kthejë situatën delikate në favorin e tij, duke e fituar këtë “game”, por edhe moralin për të mbyllur edhe dy “gamet” e radhës dhe krejt ndeshjen 3-2, duke prenotuar takimin final me Federer.

Për Nadal, sfida e së dielës kundër Federer do të jetë finalja e katërt në “Australian Open”, ku e fundit ishte ajo e vitit 2014 e humbur ndaj Wawrinkës. Ajo e Melburnit do të jetë finalja e 21-të në karrierë në turnetë “Grand Slam” për spanjollin, nga të cilat ai ka mundur të fitojë 14. Roger Federer dhe Rafael Nadal do të luajnë mes tyre finalen e nëntë “Grand Slam”, me tenistin nga Mallorca që ka një avantazh me 6 fitore kundrejt 2 të rivalit të tij historik.

Por jo vetëm kaq, “Australian Open 2017” do të hyjë në histori si ngjarja sportive ku të katërt finalistët në turneun e femrave dhe meshkujve janë në moshën mbi 30 vjeç:Venus Williams 36 vjeç, Serena Williams e Roger Federer 35 vjeç, e Rafael Nadal 30 vjeç.

Top Channel