Koka: Padi bashkive. Dhanë liçenca për prerjen e pyjeve

27/01/2017 00:00

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka pranon se disa bashki në vend vazhdojnë t’u japin kompanive leje shfrytëzimi, duke shkelur moratoriumin e pyjeve.

Pa dhënë detaje se cilat janë këto bashki, ministri Koka thotë se ndaj tyre do të kryhet kallëzim penal.

“Kemi konstatuar papërgjegjshmëri të disa drejtuesve vendorë. Ka kryetarë bashkish që vazhdojnë u japin kompanive private leje shfrytëzimi. Është diçka që është në kundërshtim me ligjin. Shumë shpejt do të bëjmë të ditur disa prej tyre dhe do të kenë kallëzimet penale përkatëse”, deklaroi Koka.

Përveç rasteve të shkeljes së ligjit, ministri Koka kritikon pushtetin lokal se nuk po e merr seriozisht administrimin e pyjeve.

“Kanë parashikuar fare, apo shumë pak fonde për administrimin e pyjeve. Duhet të kenë një numër të caktuar inxhinierësh pyjorë, një shifër buxheti për administrimin e pyjeve dhe nuk munden dot kurrësesi të parashikojnë vetëm rrugë, pallate dhe beton”, tha Koka.

Sipas moratoriumit 10 vjecar të pyjeve, është pushteti lokal që administron prerjen e pyjeve vetëm për nevojat e qytetarëve të saj ndërsa paratë nga ky aktivitet duhet të shkojnë për rehabilitimin e pyjeve.

Top Channel