Ndotet lumi Ishëm, kokë derrash të hedhura në ujë

27/01/2017 00:00

Lumi Ishëm është një nga lumenjtë më të ndotur në vend, por këto ditë, te vendi i njohur si Ura e Gjoles janë hedhur edhe kokë derrash dhe mbetjesh të tjera shtazore.

Situata kritike është konstatuar fillimisht nga një banor i zonës dhe pas marrjes së njoftimit, te Ura e Gjoles kanë shkuar përfaqësues të autoritetit bujqësor, mjedisor, Policisë së Shtetit dhe policisë bashkiake të Krujës.

“Nga ana e bashkisë u morën masa, sipas rregullave të groposjes, duke i futur në plastmas dhe më pas në gropë, në thellësinë e duhur”, deklaroi Lutfi Neziri, veteriner i Fushë Krujës.

Nga matrikujt e gjetur tek disa nga kokët e derrave rezulton se ata janë derra shtëpiakë të importuar për therrje të menjëhershme.

Specialistët kanë fotografuar gjendjen e bregut të lumit të Gjoles dhe pritet që në bazë të bashkëpunimit dhe me autoritetet doganore të zbulojnë subjektin importues të tyre, për të identifikuar më pas personat përgjegjës të kësaj masakre mjedisore.

Paraprakisht dyshohet se mbetjet shtazore janë hedhur nga ndonjë prej thertoreve të Tiranës dhe Lezhës, të cilat presin derra për konsum mishi, ndërsa nuk përjashtohet as ndonjë kompani e prodhimit të sallamit.

Pas dokumentimit të rastit, autoritetet kanë vendosur groposjen e këtyre mbetjeve për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie të mundshme nga dekompozimi i tyre në natyrë.

Top Channel