Vasili: Shorti për KED, ogur pozitiv. Letra e Metës, reagimi i duhur

27/01/2017 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka përshëndetur nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi me hedhjen e shortit për kandidatët për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Në një prononcim për mediat, Vasili ka vlerësuar transparencën me të cilën është hedhur ky short, e cila sipas tij e fut reformën në drejtimin e duhur të zbatimit.

“Jam i kënaqur që starton me transparencë të plotë procesi i hedhjes së shortit, starton ajo reformë e shumëpritur, me orgurin e transparencës, që është dimensioni më vital që mund t’i japë jetë kësaj reforme”, ka thënë Vasili.

Më tej, Vasili i është përgjigjur edhe interesit të mediave sa i përket letrës që kreu i Kuvendit i dërgoi kreut të shtetit lidhur me çështjen “Balili”, duke nënvizuar se ajo është një përgjigje institucionale ndaj shqetësimeve të partnerëve ndërkombëtarë.

“Se cilat janë reagimet lidhur me kërkesën e kryetarit të Kuvendit nuk kanë nevojë për komente. Po ia lëmë publikut t’i vlerësojë. Unë pata mundësinë të isha në një takim të shkëlqyer që zoti Meta zhvilloi në SHBA me zv.sekretarin e Shtetit, Brownfield, i cili shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin për reformën në drejtësi, por dhe shqetësimin për mosndalimin e Klement Balilit. Dhe ai qartë i kërkoi zotit Meta të nxisë autoritetet shqiptare që të bëjnë gjithçka për këtë çështje”, ka sqaruar Vasili.

Duke nënvizuar edhe faktin se një shqetësim i tillë ishte ngritur më herët edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, numri dy i LSI-së e ka vlerësuar veprimin e kreut të Kuvendit si “përgjigjen më të mirë” ndaj këtyre shqetësimeve.

“Përgjigja institucionale ishte e vetmja përgjigje ndaj zyrtarit amerikan dhe instituti më i mirë për të trajtuar këtë çështje është Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që do të nxjerrë përgjegjësitë konkrete”, ka shtuar Vasili.

Top Channel