Duka: Do të ndërtohet Akademia e Arbitrave

27/01/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një takim me kryetarët e kolegjiumeve arbitrare në prag të rifilllimit të kampionatit.

Temë diskutimi në këtë takim ishte përcaktimi i një startegjie në përzgjedhjen e arbitrave. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaroi se institucioni që ai drejton po mendon për krijimin e një akademie të arbitrave, diçka që nuk ka ekzistuar më parë.

Sipas kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, të gjithë ata që do të dëshirojnë të bëhen arbitra, do t’i nënshtrohen një filtrimi në mënyrë që të zgjidhen elementët në të mirë.

“Strategjia e re konsiston në ndërtimin e një Akademie të Arbitrave. Rekrutimi nuk do të bëhet më i rastësishëm, por në mënyrë institucionale. Kandidatët do të aplikojnë direkt në Federatë apo në Kolegjiumet e rretheve dhe nëse plotësojnë kriteret do të nisin rrugën e arbitrimit. Ata do ti nënshtrohen një shkolle, ku do të marrin certifikatat për të vazhduar rrugën ose do të skartohen. Procesi i rekrutimit, formimit dhe edukimit të tyre do të jetë serioz, në mënyrë që arbitri të marrë autoritetin e duhur. Përmes Akademisë do të kemi një strategji ndryshe për formimin e arbitrave”, u shpreh Duka.

Top Channel