Protesta për stadiumin, procedohen penalisht 10 tifozë të Tiranës

27/01/2017 00:00

Policia e kryeqytetit procedoi në gjendje të lirë 10 tifozë të Tiranës të cilët bllokuan zhvillimin e stërvitjes së skuadrës pasditen e së enjtes në fushën stërvitore “Skënder Halili”.

Për ta është referuar në prokurori vepra e “organizimit dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Tifozi që goditi futbollistin Gilman Lika akuzohet edhe për dëmtime të tjera me dashje. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, të gjithë personat e proceduar janë të skeduar si problematikë edhe gjatë ndeshjeve të ekipit kryeqytetas. Për këtë arsye, policia pritet që t’i përfshijë këto individë në të ashtëquajturat “listat e zeza”, duke mos i lejuar të futen në stadiume. Por, pas disa ditësh, kur Partizani të luajë me Vllazinë në “Selman Stërmasi”, më 4 shkurt, situata mund të dalë jashtë kontrollit, pasi tifozët e Tiranës janë shprehur se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Policia ka nisur të marrë masa dhe pritet të thërrasë në takim grupimet e tifozerive përkatëse për të ulur gjakrat mbi mosmarrëveshjen për stadiumin.

Top Channel