SHBA, May para republikanëve: Bashkë, udhëheqim sërish botën

27/01/2017 00:00

Theresa May ka “grisur” dy dekada politike të jashtme që e ka përfshirë britaninë në një varg konfliktesh katastrofike

Në një kthesë të dukshme krahasuar me erën e Bler dhe Cameron, kryeministrja tha se ditët kur Britania e Madhe përdorte forcën ushtarake për të ‘ribërë vende sovrane sipas imazhit që ne vetë kemi’, kanë përfunduar.

Duke folur para ligjvënësve republikanë në Philadelfia të shteteve të bashkuara, ajo parashtroi një seri rregullash që do të bëjnë që Britania e Madhe të ndërhyjë vetëm kur kërcënimi është real dhe kur është në interesin e saj. Komentet, i japin kështu fund asaj që është quajtur si luftërat me përzgjedhje dhe të ashtuquajturës Doktrina e Çikagos, përcaktuar nga Tony Blair.

Ndërsa ajo mbërriti në Filadelfia, para se të bëhet e para lidere e huaj që zhvillon një takim ballë për ballë me presidentin Trump, ajo parashikoi edhe një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e ri amerikan duke thënë se ndonjëherë, anët e kundërta tërheqin. Sipas saj, SHBA dhe Britania, mund të udhëheqin botën sërish.

“Është në interesin tonë, të britanisë dhe amerikës, që të ngrihemi së bashku, të mbrojmë vlerat, interesat dhe idetë në të cilat ne besojmë. Kjo nuk do të thotë një kthim tek politikat e dështuara të së shkuarës”, u shpreh Theresa May.

Komentet e saj, mund të konsiderohen si çmontimi përfundimtar i politikës së ndjekur nga Tony Blair, në fjalimin e tij të famshëm në Çikago, në 1999, ku u pa se Britania do të përfshihej në luftërat në Irak dhe Afganistan.

David Cameron, ka vijuar me të njëjtën linjë me vendimet e tij për të ndërhyrë në Libi, Irak, Afganistan etj.

May, e para lidere botërore që i  është drejtuar një konvente republikane në histori dhe që do të bëhet sërish e para lidere e huaj që takon Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, listoi edhe një seri sfidash me të cilat përballet Britania dhe Amerika, përfshirë një Vladimir Putin agresiv apo islamizmin radikal.

Top Channel