Greqia pret që llogaritë e saj publike, më në formë nga sa pritej në vitin 2016, do të bindin huadhënësit që të firmosin një rishikim të planit të shpëtimit, pa kërkuar masa të tjera kursimi.

Me këtë shpresë, zyrtarët grekë shkuan në takimin e ministrave të Financave të Eurozonës në Bruksel. Në fakt, Komisioni Europian, por edhe ministrat e Financave të BE-së ishin pozitivë, pasi nuk ngurruan të deklaronin se Greqia kishte përmbushur objektivat e saj fiskale në vitin 2016, e pritet që të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë vit, për të tentuar drejt suficitit të parë të saj në vitin 2018.

Ata thanë se Eurozona vazhdon të kërkojë pjesëmarrjen në planin e shpëtimit të Greqisë të FMN-së, duke hedhur poshtë raportet se Eurozona është tani e gatshme të merret vet me Athinën.

Qeveria majtiste e Greqisë, që firmosi një plan të ri shpëtimi në vitin 2015, kërkon që të përmbyllë këtë fazë për t’iu bashkuar programit të blerjes së bonove të Bankës Qendrore Europiane, që do të reduktonte kostot e huamarrjes.

Ajo po ashtu kërkon të kthehet në tregun e bonove deri në fund të vitit 2017, një vit para se programi i shpëtimit të përfundojë. FMN-ja nuk ka vendosur ende nëse do të marrë pjesë, në atë që për Athinën është programi i tretë i shpëtimit, e thotë se Greqia nuk mund të arrijë të përmbushë objektivat e saj nëse nuk miraton një plan masash shtesë kursimi, e nëse nuk përfiton më shumë lehtësira për borxhet.

Zyrtarët grekë, sidoqoftë, kanë premtuar se do të arrijnë një suficit prej 1.75 përqindësh të GDP-së këtë vit.

Top Channel