Bundesliga, rekorde dhe miliona në 12 vitet e fundit

26/01/2017 00:00

Mjafton të shikosh sesi ndeshjet e Bundesligës kthehen në një festë për familjen. Trazirat në nivelin zero, birra mes miqve dhe futboll i ndershëm. Në këtë mënyrë, kampionati gjerman ka nisur të gjenerojë miliona dhe rekorde nga sezoni në sezon.

Bundesliga zyrtarizoi shifrat e fundit financiare, duke prezantuar një faturim rekord prej 3.24 miliardë eurosh për sezonin e kaluar. Kjo përkthehet në 24% më shumë, në krahasim me sezonin paraardhës, shumë parà dhe më tepër spektakël, ashtu siç shihet nga stadiumi me pretendimet më modeste, e deri në “Signal Iduna Park”, apo “Allianz Arena”.

Shtimi i sponsorëve nga të katër anët e globit, interesimi në rritje i mediave për transmetimet, si dhe roli aktiv në tregun e futbollistëve janë vetëm disa nga arsyet. Në një njoftim për shtyp, Federata gjermane e Futbollit (DFB) shpjegoi edhe shifrat.

Për herë të parë, 13 nga 18 klubet e kategorisë më të lartë deklaruan një faturim prej 100 milionë eurosh ose më shumë, e përfitimet të paktën 206.2 milionë, që ishte klubi me më pak parà. Ky është viti i 12 radhazi i rritjes së Bundesligës, jo vetëm në nivel ekonomik. Përfitimet nga televizionet u shtuan me thuajse 200 milionë, ndërsa një “boom” të madh pati publiciteti, nga 100 në 772 milionë euro.

Top Channel