Gjyqi ndaj afganit, “koka” e trafikut të klandestinëve

26/01/2017 00:00

Hamid Rahman është një 45-vjeçar nga Afganistani. Ai pret të gjykohet bashkë me 5 shqiptarë të tjerë, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që ka shfrytëzuar situatën e krijuar në vendet e përfshira në luftë, për të organizuar lëvizjen e emigrantëve drejt Bashkimit Europian.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se Rahman kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri dhe në disa raste ka ndihmuar grupe afganësh të qarkullonin nga Jugu i Shqipërisë, duke i transportuar me destinacion Kosovën, me qëllim arritjen në Serbi e më tej Hungarinë apo Austrinë.

Si bashkëpunëtorë të tij janë nën akuzë edhe 5 shtetas shqiptarë nga Kukësi, teksa në disa raste mes tyre, Egzon Tusha, Liridon e Ndriçim Duraku, duke komunikuar me persona të tjerë edhe brenda qendrave azilante, kanë organizuar si fillim largimin e padeklaruar të tyre.

Më tej, sipas Prokurorisë, ata janë sistemuar për pak kohë në banesa apo hotele periferike, për t’u transportuar drejt kufirit me Kosovën. Gjatë përgjimeve telefonike, të pandehurit kërkojnë ushqim për emigrantët që mbaheshin të strehuar në një objekt në periferi të Tiranës.

Prej frikës nga policia, të akuzuarit kanë komunikuar më tej në telefon me persona të tjerë, për të nxitur transportin e 17 afganëve drejt Kukësit me shumën e 400 eurove. Sikurse shprehet Prokuroria, në fakt këto lëvizje ishin nën vëzhgimin e policisë, çfarë solli edhe goditjen e grupit.

Për vitin 2016, në Shqipëri janë kapur duke kaluar kufirin e gjelbër përmes Kakavijës 710 klandestinë, 330 prej të cilëve janë sirianë, 250 afganë dhe 120 irakianë. Trendi i këtij viti – thanë burimet e Top Channel, – është se në vendin e parë për kalim të paligjshëm të kufirit kanë kaluar afganët, pasi deri më tani janë kapur 30 shtetas nga Afganistani, e në vend të dytë ndodhen sirianët, me 23 persona të kthyer në Greqi nga autoritetet policore shqiptare. Por policia e shpjegon ndryshimin e këtij raporti në statistika të ndikuar edhe nga i ftohti.

Top Channel