Një histori e shtypit, Lesi boton librin për “Koha Jonë”

26/01/2017 00:00

Në 25-vjetorin e themelimit të gazetës “Koha Jonë” dhe në 20-vjetorin e vitit të mbrapshtë 1997, Nikoll Lesi ka publikuar librin më të ri “Kështjella e Medias”.

“Është një libër i ndarë në dy pjesë, në kohën e gazetarisë që quhej enkas gazetari dhe bëhej gazetari 1991-2000, pastaj fillon epoka e medias kur në të u futën pronarët dhe biznesmenët”, tha Nikoll Lesi, botues i gazetës “Koha Jonë”.

Por si u prit në atë kohë gazeta e parë e pavarur në vend?

“Lexuesi ende nuk ishte mësuar që në një gazetë të kishte mendimin e palëve të ndryshme, pra qoftë demokratë, qoftë socialistë. Ne e bëmë këtë punë”, thotë Lesi.

Gazeta “Koha Jonë” ishte e para që nisi sulmin ndaj firmave piramidale që në vitin 1996. Nikoll Lesi e ka një përgjigje për këtë.

“Ne botuam përqindjet e disa firmave piramidale, me qëllim për t’i thënë pushtetit dhe publikut, se Shqipëria po zhytej në krizë, siç janë edhe titujt e gazetës”, deklaron Lesi.

TCH: Ju kishit informacione konkrete?

“Ne kishim informacione të kryqëzuara nga disa miq perëndimor, që ishin të shumtë në Shqipëri. Në janar-shkurt të ’97-s ne i drejtuam topat më shumë drejt pushtetit, drejt Berishës. Filluan protesat masive. Ne i pasqyruam të gjitha ngjarjet siç ndodhnin. Natyrisht me një kurajo. Ka pasur tituj, nuk mund ta them bombastik, sepse fjala bombastike është pak e madhe, por fjala vjen: ‘Tirania mbyt Tiranën’. Ishin tituj që ktheheshin si një lloj flamuri në duart e protestuesve dhe të publikut, që donin të dinin se çfarë ndodhte”, shprehet Lesi.

Por si ndihej botuesi Lesi, kur shihte që protestuesit mbanin në duar gazetën “Koha Jonë”?

“Nuk mund ta ndalosh ti gazetashitësin, t’i thuash që dikush ta blejë dhe dikush jo. Ky është militant, ky nuk është militant. Ai është lexues, pra për mua si botues është lexues, është qytetar mbi të gjitha, i cili e ka ndjerë që kjo gazetë, ose ka krijuar besim se gazeta thoshte të vërtetën”, thekson Lesi.

Një ngjarje që u shenjua në atë vit të mbushur me ngjarje, ishte edhe djegia e Redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Ngjarje për të cilën, ende sot nuk ka persona të dënuar.

“Në qoftë se kjo drejtësi që po vjen, SPAK-u dhe këto të tjerët kanë mundësi të futen edhe në këtë fushë, përveç politikanëve të korruptuar, përveç segmenteve shtetërore që e kanë mani vetëm për të vjedhur në pushtet, qoftë PD, qoftë PS, ashtu edhe në rastin e zbardhjes së disa krimeve të vjetra, sepse nuk është zbardhje për mua, është zbardhje për të gjithë median dhe tregon që çdo lloj pushteti të ketë frikë kur dhunon një media”, thotë më tej Nikoll Lesi.

Në fund, Nikoll Lesi ka edhe një mesazh për të gjithë lexuesit e librit, por edhe gazetarët e rinj.

“Është një pasurim i kulturës, i dijes dhe më saktë për të treguar se dikur kishte edhe gazetarë kurajozë”.

Top Channel