Balaj ëndërron pjesëmarrjen në Botëror: Në Rusi, si në shtëpi

26/01/2017 00:00

Ai është shndërruar në sulmuesin kryesor të ekipit dhe me golat e tij e ka ndihmuar Terek Groznin në Rusi të jetë në vendet e kreut në renditje.

Shkodrani Bekim Balaj ka folur së fundmi për faqen zyrtare të skuadrës ruse, ku ndër të tjera ka shprehur edhe dëshirën e tij për të marrë pjesë në Kupën e Botës Rusi 2018 me Shqipërinë, megjithëse është i bindur për vështirësitë e kualifikimit.

“Shpresoj shumë që mua dhe Roshit të na jepet mundësia të luajmë në Kupën e Botës në Rusi me Kombëtaren shqiptare, pavarësisht se prej ecurisë së fundit dhe pozitave në kualifikuese kjo duket e vështirë. Megjithatë, nëse do të arrijmë të kualifikohemi në Botërorin 2018, nuk ka asnjë dyshim që unë dhe Roshi do të ndihemi si në shtëpi. Kemi vizituar shumë qytete ruse dhe do të vizitojmë disa të tjera. Njerëzit na njohin dhe pjesëmarrja në turne do të ishte mjaft emocionuese”, shprehet Balaj.

Ndërsa për sa i përket ecurisë së deritanishme me klubin e Terekut, ai shprehet i kënaqur, ndërsa shton se në fillim ka qenë e vështirë përshtatja në këtë kampionat.

“Prej momentit kur u transferova në Rusi e kisha të qartë se do të luaja në një ligë të nivelit më të lart se në Kroaci. Kërkoja të testoja veten në Premierligë dhe dëshiroja të bëhesha pjesë e Terek Groznit. Fillimi nuk ishte i lehtë dhe mu nevojit pak kohë për t’u përshtatur, por hap pas hapi arrita të shënoja gola dhe ta ndihmoja skuadrën. Jam i motivuar dhe punoj çdo ditë për të bërë hapa përpara, si në aspektin personal ashtu edhe si skuadër. Mungesa e golave në miqësore nuk më shqetëson, pasi e rëndësishme është të punojmë si skuadër, pavarësisht asaj që ndodh në nivelin individual. Unë do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë edhe në pjesën e dytë të sezonit dhe do të përpiqem të shënoj sa më tepër”, përfundon sulmuesi shqiptar.

Top Channel