Ish-kryeprokurorja dhe ish-zyrtari i lartë i Tatimeve janë dënuar me burgim këtë të enjte, pas dyshimeve se kishin pranuar ryshfet nga një biznesmen, i cili kërkonte që një çështje ligjore të zgjidhej në favor të tij.

Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë i dha Alina Bica, një ish-kryeprokurore e agjencisë që hetonte krimin e organizuar dhe terrorizmin, dënimin prej 3 vitesh e gjysmë heqje lirie për shkak se ndihmoi një shkelës ligji. Edhe ish-kreu i Autoritetit të Tatim-Taksave, Serban Pop u dënua me 5 vite burgim, për ndihmesë në trafikim.

Biznesmeni Horia Simu nuk mbeti, gjithsesi, i padënuar. Ai mori 4 vite heqje lirie për blerje të ndikimit. Megjithatë të gjitha vendimet janë të apelueshme.

Prokurorët thanë se Pop, i cili vepronte në emër të Simu, i dha Bicës një ryshfet prej 17.500 eurosh në nëntor të vitit 2014. Në këmbim, Bica zëvendësoi një prokuror  që po hetonte Simun për parregullsi, ku përfshihej edhe programi shtetëror i rikthimit të pronave, si dhe ushtroi presion ndaj një tjetër prokurori për të pezulluar çështjen.

Prokurorët thonë se Simu dyshohet të ketë marrë pjesë në skemën, që rezultoi të ishte një supershpenzim qeveritar për kompensimin e një toke të konfiskuar në periudhën komuniste prej afro 97 mijë metrash katrorë.

Top Channel