Sulmi në Hannover, 6 vite burg për 16-vjeçaren e radikalizuar

26/01/2017 00:00

Një 16-vjeçare është dënuar me 6 vite burg nga një gjykatë në Gjermani, për atë që u konsiderua si i pari sulm nga një simpatizante e grupit xhihadist të Shtetit Islamik.

Safia S., e cila ishte 15 vjeç atëherë, sulmoi me thikë dhe plagosi një oficer policie në qafë, në stacionin qendror të Hannoverit. Prokurorët e përshkruan sulmin si të urdhëruar dhe të mbikëqyrur nga ISIS. Ajo u dënua për “tentativë vrasjeje” dhe “ndihmesë ndaj një organizate terroriste”.

Safia S, një gjermane me origjinë marokene, u shpall gjithashtu fajtore për “dëme të rënda trupore”. Avokati i saj mbrojtës kërkoi që ajo të lirohej nga akuzat e tjera dhe t’i jepej një dënim më i lehtë.

Veç saj, një tjetër 20-vjeçar i quajtur Mohamad Hasan K. u burgos me dy vite e gjysmë, sepse ishte në dijeni të planit për sulm, por nuk njoftoi në kohë autoritetet. Safia S. sulmoi me thikë policin 34-vjeçar më 26 shkurt të vitit të kaluar, vetëm pak javë pasi ishte kthyer nga Stambolli ku kishte shkuar për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Edhe pse e ëma arriti ta kthente mbrapsht, ajo vijoi të ruante lidhjet me grupin xhihadist përmes internetit.

Gjykatësi citoi mesazhet në telefonin e saj si prova, se sulmi ishte në mbështetje të ISIS-it. Një prej teksteve i ishte dërguar Mohamad Hasan K. pas sulmeve xhihadiste në Paris më 13 nëntor 2015, në të cilin ajo shkruante: Allahu i bekoftë luanët tanë, të cilët kryen operacionin në Paris ditën e djeshme (13 nëntor).

Pamjet e kamerave të sigurisë nga stacioni qendror i Hannoverit shfaqnin atë teksa qëndronte përballë dy oficerëve të policisë. Kur ata i kërkuan kartën e identitetit, ajo preu në fyt njërin prej tyre me thikë. Vajza kërkoi falje ndaj policit më pas për atë veprim, falje që e përsëriti edhe gjatë gjyqit ndaj saj.

Avokati mbrojtës i saj tha se do ta apelonte dënimin. Megjithatë, familja e saj kishte paralajmëruar autoritetet se ajo ishte radikalizuar. Sipas ligjeve për mbrojtjen e privatësisë në Gjermani, mbiemri i të pandehurit nuk publikohet. Çështja në fjalë është zhvilluar në gjykatën rajonale të Celle, dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të moshës së saj.

Top Channel