Stilisti i “Valentino”-s, Pierpaolo Piccioli prezantoi në Paris koleksionin e tij të parë “solo”, “Haute Couture”, me një linjë veshjesh që të kujtonin hyjnitë greke.

“Pas çdo veshjeje ka gjithmone një histori të jashtëzakonshme”, thotë stilisti që e konsideron këtë punën më të bukur në botë.

Koleksioni pranverë-verë 2017 ishte një vizion vibrues i klasikes së ndërthurur me modernen. Fustanet e gjatë e të lirshëm ishin disa të mbushur me frunda, të tjerë të derdhur.

Tyli paraqitet si aksesor i vyer për Picciolin, që nuk kursen në mjaft raste edhe qëndismat kryesisht me fije argjendi.

Modelet kanë lëvizur mes veprave të artit të koleksionit “Tiroche deLeon”, të ekspozuara në sallonet e shtëpisë së vjetër “Rothschild” në kryeqytetin francez.

Thjeshtësia dhe eleganca e veshjeve, e kombinuar me ngjyrat e qeta të fildishit, rozës-pastel dhe të gjelbrës së lehtë, krijonin idenë e një bote përrallash.

Shfaqja e “Valentino”-s u mbajt në ditën e parafundit të javës “Haute Couture” në Paris. Eventi i modës e ul siparin të enjten.

Top Channel