Nisja e Vettingut, Avokati i Popullit bën thirrje për aplikantët

26/01/2017 00:00

Avokati i Popullit ka shpallur këtë të enjte vendet vakante për përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për anëtar Komisioni dhe gjyqtar të Kolegjit të Apelimit si dhe Komisionerit Publik.

Igli Totozani në një intervistë për Top Channel fton kandidatët për këto pozicione që të aplikojnë deri më 9 shkurt, kur është edhe afati i fundit.

“Për ligjin e Vettingut, për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve  ka 15 ditë kohë. Ka nisur sot. Deri më 9 shkurt, ne presim kandidaturat pranë Avokatit të Popullit”, tha Igli Totozani, Avokat i Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka një rol të rëndësishëm edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të dy organeve të reja të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

“Avokati Popullit flet për pjesën civile dhe jo prokurorë e gjyqtarë, anëtarë të këtyre dy organeve KLGJ e KLP. Avokati i Popullit ndërton një komision AD HOC, në të cilin do të ketë përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë. Ne jemi në afatet e fundit, dt 28 është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave, i bëj thirrje kandidatëve potencialë të mundshëm, të sjellin sa më parë kandidaturat e tyre”, tha Totozani.

Kriteret janë të përcaktuara në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, ku fillimisht kandidati duhet të përcaktojë vendin për të cilin aplikon, ku kërkesa shoqërohet me dokumentet zyrtare shoqëruar edhe në gjuhën angleze, duke nisur nga jetëshkrimi profesional dhe dokumenta të noterizuara ose njëhësuara që vërtetojnë kushtet e parashikuara në ligjin për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por një nga kriteret bazë për kandidatët, është eksperienca në fushën juridike, 10 vjet për ata që kandidojnë për Komisionerin Publik dhe 15 vjet për anëtar Komisioni dhe gjyqtar të Kolegjit të Apelimit.

Për Igli Totozanin, reforma në drejtësi dhe Vettingu kanë vetëm një qëllim: “Asnjë individ apo organ s’mund të dalë përtej gardhit të ligjit, aty do gjejë gjithnjë një rojtar, ose Av.Popullit, Prokurorinë, ILDKP, KLSH. Këto organe mundohen që organet dhe politikën ta mbajnë brenda këtij gardhi që ka vendosur ligji”, tha Avokati i Popullit.

Top Channel