Leskaj në KiE: Delegacioni kosovar trajtohet ende si vizitor

26/01/2017 00:00

Teksa ka kaluar një vit nga miratimi i rezolutës për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE-s, nuk bëhet ende zbatimi i plotë i saj. Gjatë debatit në AP të KiE, Valentina Leskaj, kryetare e delegacionit shqiptar, tha se kolegët kosovarë trajtohen ende si vizitorë dhe nuk kanë të drejtën e fjalës.

“Është për të ardhur keq që plot një vit pas miratimit të kësaj Rezolute nuk ka progres real në përmbushjen e paragrafit 13 të saj. Kuvendi i Kosovës e ka kryer detyrën e tij në këtë aspekt, duke caktuar një delegacion, në përputhje me kërkesat e Asamblesë, të përbërë nga përfaqësues të mazhorancës, të opozitës dhe nga minoritetet, si dhe duke respektuar balancën gjinore dhe ka treguar vullnet të qartë për bashkëpunim me Këshillin dhe Institucionet e tij si Komisioni i Venecias.

Natyrisht miratimi i delegacionit, pjesëmarrja në veprimtarinë e komiteteve, marrja e fjalës në to, është e rëndësishme, por ndërkohë, një vit pas miratimit të rezolutës, delegacionit kosovar ende nuk i janë përcaktuar vendet sipas standardit të një delegacioni dhe e drejta e fjalës në aulën kryesore.

Rezoluta rekomandon qartë ngritjen e nivelit të dialogut dhe të ngresh nivelin e dialogut, nuk do të thotë të trajtohesh si vizitor dhe të ndjekësh punimet nga Galeria, pa pasur të drejtë të hysh në sallë dhe pa të drejtën e fjalës. Të bllokosh situatën nga njëra pale siç po bën këtu pala serbe, nuk e ndihmon dialogun”, ka thënë Leskaj.

Top Channel