“Tirana Art Fest”, Veliaj: Hapësirat e zaptuara publike ua kthejmë të rinjve

26/01/2017 00:00

Tirana Art Fest” rikthehet edhe këtë vit për gjimnazistët e Tiranës, ku do të performojnë në tre disiplina të ndryshme, muzikë, kërcim dhe multimedia.

Audicionet e para kanë nisur në shkollat “Ismail Qemali, “Partizani”, dhe “Sami Frashëri”. I pranishëm në këtë event që është kthyer në traditë nga bashkia e Tiranës ka qënë vetë Veliaj.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që secili prej nesh ka një talent, ka një dhunti, e disa mund ta kenë talentin në shkencë, në çështjet e arsimit dhe në mësimdhënie. Dikush mund ta ketë në olimpiada, dikush mund të jetë i shkëlqyer në sport, por kjo është një hapësirë tjetër për të provuar veten dhe për të parë se sa vlen edhe në një fushë tjetër. Unë realisht besoj që një njeri që mban 10 përgjegjësi mund të bëjë dhe gjënë e 11-të, një njeri që s’bën dot asnjë gjë, s’bën dot dy gjëra sigurisht”, tha Veliaj.

Ndërsa gjatë takimit me nxënësit e gjimnazit “Partizani”, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se disa nga aktivitetet e “Tirana Art Fest” do të organizohen tek ambientet e Piramidës, e cila është rihapur për publikun për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.

“Unë do të doja që nga tani e tutje të fillojmë të marrim mbrapsht hapësirat që janë okupuar, ose janë degraduar ndër vite”, tha ai.

“Tirana Art Fest” synon të risjellë gjallërimin e jetës kulturore-artistike rinore, këtë herë me përfshirjen e më shumë gjimnazeve publike dhe jopublike me risi në secilën kategori konkurruese. Përfshirja e të rinjve në rrugën artistike, pritet që të ketë një impakt pozitiv në fuqizimin e luftës ndaj bullizmit, alkoolit, drogës, duhanit, dhunës si dhe fenomeneve të tjera negative.

Top Channel