“Anija e turpit”, Britania monitoron flotën ruse

26/01/2017 00:00

Ministri britanik i Mbrojtjes foli ashpër ndaj ushtrisë ruse, ndërsa luftanijet dhe avionët luftarakë britanikë shoqëruan aeroplanmbajtësen e vetme ruse përmes kanalit britanik.

“Po vëzhgojmë nga afër Admiralin Kuznetsov ndërsa kthehet në Rusi. Një anije turpi, misioni i vetëm i së cilës ishte zgjatja e vuajtjeve të popullit sirian”, deklaroi sir Michael Fallon.

Ai shtoi se mbikqyrja e anijeve ruse ndërsa kalojnë në kanalin anglez është një masë e zakonshme në kuadër të ruajtjes së territorit të vendit. Të njëjtën gjë forcat britanike bënë kur aeroplanmbajtësje Kuznetsov bashkë me eskortën e saj kaloi pranë brigjeve britanike në tetor në udhëtimin e sj drejt Sirisë.

Pikërisht nga atje po kthehen tani pasi morën pjesë në sulmet ajrore ruse në vendin e dërrmuar nga lufta civile. Ndërhyrja ruse ishte ajo që i dha forcë regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Asad dhe që ktheu fatin e luftës.

Analistët thonë se Moska mund ta bënte këtë edhe pa dërguar aeroplanmbajtësen e saj atje, por kjo u konsiderua si manovër e Rusisë për të treguar forcën.

Top Channel