Votimi elektronik, PD e kërkon. Ruçi: Dakord nëse thotë edhe OSBE

26/01/2017 00:00

Çështja e zgjedhjeve mbizotëroi debatin politik në Parlament. Demokratët u dhanë partnerëve ndërkombëtarë një mesazh për standardin e zgjedhjeve.

“Ajo që kërkojmë ne dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër, por edhe për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral të shitblerjes së votës, të përfshirjes së bandave të veshura me pushtet, të banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit, me leje qeveritare. Nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nëse votim dhe numërim elektronik në çdo qendër votimi”, tha deputeti demokrat Eduard Halimi.

Por edhe Gramoz Ruçi iu referua ndërkombëtarëve, kur thirri OSBE-ODIHR-in si “arbitër” të çështjes së votimit elektronik.

“Nëqoftëse OSBE-ja, ODIHR-i japin miratimin e tyre dhe marrin të gjithë përgjegjësinë dhe i thonë klasës politike shqiptare se kjo bëhet dhe na japin të gjithë garancitë përkatëse që kjo është zgjidhja për moskontestimin e zgjedhjeve, sigurisht që ne jemi plotësisht dakord”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi.

Palët janë aq larg, sa çfarë është alibi për njërën nuk është për tjetrën.

“E kemi thënë një vit para zgjedhjeve, se opozita sheh si mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj kjo historia e kohës së pamjaftueshme është vetëm një alibi”, theksoi Halimi.

“Tani veç numërimit kërkoni edhe identifikimin, edhe votimin, edhe numërimin elektronik. Kjo sepse ju e dini që nuk bëhet. Atëherë ne ju kemi thënë se e gjitha kjo është alibi, për të justifikuar humbjen tuaj”, u kundërpërgjigj Ruçi.

Me këto debate, Parlamenti kaloi edhe një ditë kohë pa e kryer Reformën Zgjedhore. Megjithatë, Kuvendi zgjidhi një çështje proceduriale të mbetur pezull, për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në Këshillin e Mandateve, betimin e dy deputetëve të rinj Flamur Çelaj i LSI-së dhe Edmond Zejno i PDIU-së.

Ata e morën mandatin pas veprimit të ligjit të Dekriminalizimit mbi Shkëlqim Selamin dhe Dashamir Tahirin, beteja gjyqësore e të cilëve tani duket se është vetëm formale.

***

Deputeti demokrat Eduard Halimi ka deklaruar se kjo formë e votimit është një domosdoshmëri në kushtet kur sipas tij, kryeministri Edi Rama do të vërë në funksion lidhjet e tij me krimin për të grabitur votën e lirë.

“Nuk ka asnjë garanci opozita që banditët e lidhur me Ramën nuk do të jenë në zgjedhje me emrin e PS, apo me atë të vëllezërve dhe motrave që kërkojnë të fusin në listat e vitit 2017”, ka thënë Halimi.

Kjo ishte dhe arsyeja, ka shtuar ai, pse 8 muaj më parë opozita doli me propozimin në fjalë, “si mundësia më e mirë që qeveria, bandat, paratë e drogës dhe pushteti i banditëve të mos ndikonin në zgjedhje”, ka thënë Halimi.

Ai ka theksuar se, “historia e kohës së pamjaftueshme” është vetëm një alibi për t’i ikur së vërtetës dhe për të mos pranuar votën e lirë.

“Prej javësh jemi përballë së njëjtës strategji, të alibisë me kohën, të fajësimit të opozitës lidhur me reformën zgjedhore. Akuzat e përditshme të kryeministrit në këtë drejtim dëshmojnë vullnetin e mbrapshtë për të mos lejuar reformën zgjedhore dhe votimin elektronik”, ka shtuar Halimi.

Ruçi: Dakord nëse e rekomandon OSBE-ODIHR

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ka ritheksuar qëndrimin e mazhorancës se kërkesa e PD për një proces elektoral elektronik është alibi.

Ruçi i ka kujtuar opozitës se kur ishte dje në pushtet refuzoi kërkesën e PS për numërim elektronik dhe tani është vetë ajo që kërkon absurditete.

“Tani, krahas asaj që ju nuk bëtë 2 vjet përpara zgjedhjeve, kërkoni edhe identifikimin, edhe votimin sepse e dini që nuk bëhet”, ka thënë Ruçi.

Ai ka theksuar se, mazhoranca është e angazhuar për të implementuar rekomandimet e OSBE-ODHR-it, që adresojnë problemet që ngre opozita. Por kjo e fundit, sipas tij, nuk ka vullnet.

“Ata që na monitorojnë ne, OSBE-ODIHR, na kanë vënë në tavolinë një raport dhe detyra jonë është të implementojmë ato kritere. Bëhet fjalë për shit-blerje të votës? Ejani ndryshojmë Kodin Penal. Është bërë rekomandimi për transparencën e zgjedhjeve? Ejani të bëjmë në kohë çfarë kërkoni ju. Është bërë problem financimi i partive? Ejani, ne ju kemi bërë propozimet tona. Mund të mos jenë të plota, ejani t’i plotësojmë. Por ju s’keni vullnet, ndaj dhe ne ju kemi thënë se e gjitha kjo është një alibi për të justifikuar humbjen tuaj”, ka vijuar Ruçi. Por ai ka shtuar se, në rast se misioni europian e rekomandon një gjë të tillë, PS do të jetë e gatshme ta mbështesë. “Qoftë për identifikimin, votimin e numërimin le të vijnë arbitrat, dakordësohuni me ta dhe votat i keni. Nëse OSBE-ODIHR japin OK-in e tyre, sigurisht që ne jemi plotësisht dakord”, ka shtuar Ruçi.

Berisha: Rama po liron Aldo Baren për të vjedhur zgjedhjet

Ish-kryeministri Berisha, duke replikuar ndaj Ruçit ka deklaruar se votimi elektronik është rruga e vetme për të bërë që qytetarët shqiptarë të votojnë njësoj me qytetarët në vendet e Europës.

Ai është shprehur se, refuzimi kategorik i opozitës tregon se ajo nuk dëshiron një proces elektoral të lirë. “Nëse apriori ju e hidhni poshtë, ju vetëm sa bindni opozitën se në këtë vend zgjedhje nuk mund të ketë”, ka thënë Berisha.

Ai ka vlerësuar se, duhet të zgjidhet përfundimisht çështja e votimit të emigrantëve, përjashtimin e të cilëve nga procesi elektoral e ka cilësuar një “njollë turpi”.

Por, ka shtuar Berisha, kryeministri Rama nuk i pranon këto sepse po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me organizatat kriminale.

“Nuk e pranon sepse është angazhuar në një proces kriminal të lirimit të Aldo Bares, të lirimit të Lul Berishës, të lirimit të banditëve. A e dini ju që atë e menaxhojnë bandat dhe banditët? Nuk e menaxhoni ju, juve s’ju pyet fare ai. A e dini ju ç’po bëhet për Hakmarrjen për Drejtësi? E njëjta gjë si me Aldo Baren. A e dini që ai me djalin e vetë është aksioner në pronat kriminale të Hakmarrjes për Drejtësi? A e dini që është i regjistruar nga shërbimet partnere në komunikime kriminale? Atëherë do votojmë ne apo do i nënshtrohemi një njeriu që është shndërruar në kaput meduze, në kreun e meduzës së krimit të organizuar në Shqipëri?”, ka thënë Berisha.

Top Channel