Shkollat pa ngrohje, Dako: Këtë vit do përfitojnë 5

26/01/2017 00:00

Temperaturat e ulëta të këtij muaji nxorrën në pah një realitet të hidhur për shkollat e Bashkisë së Durrësit.

Asnjë prej tyre nuk ka sistem ngrohjeje, ndërsa fondet e planifikuara në buxhetin e këtij viti për arsimin nuk mund të mbulojnë këtë nevojë që cënon ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor.

Duke pranuar gjendjen, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako ka premtuar se çdo investim i ardhshëm në shkolla do të përfshijë dhe sistemin e ngrohjes, si një kriter i detyrueshëm për infrastrukturën arsimore.

Dako ka bërë me dije se, këtë vit do të pajisen me sistem ngrohjeje 5 shkolla. “Projektet për shkollat e reja e kanë të detyrueshme të kenë sistemin e ngrohjes. Këtë vit 2 shkolla të reja dhe tre që do të rikonstruktohen do të kenë sistemin e ngrohjes”, ka thënë Dako.

Me një fond prej 72 milionë lekësh do të nisë rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës, e cila për herë të parë do të ketë dhe një sistem ngrohjeje. Nxënësit e kësaj shkolle po e zhvillojnë mësimin me orë të shkurtuara gjatë pasdites në dy shkolla të mesme të qytetit.

Ndërkaq, këtë vit pritet edhe ndërtimi i shkollës “Jusuf Puka” në qytet dhe “Myslym Hidaj” në fshatin Arapaj, si dhe rikonstruksioni i 2 shkollave të tjera që do të kenë të instaluar edhe sistemet e ngrohjes, për të mundësuar një proces mësimor pa ndërprerje dhe sa më efikas.

Në Bashkinë e Durrësit ushtrojnë aktivitetin 65 shkolla të sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, që frekuentohen nga rreth 30.500 nxënës.

Top Channel