Itali, nxirren trupat e fundit nga hoteli i mbuluar nga orteku

26/01/2017 00:00

Trupat e fundit, të një burri dhe një gruaje, janë nxjerrë nga rrënojat e hotelit Rigopiano në Itali, që ditë më parë u përfshi nga një ortek dëbore, duke e çuar bilancin e viktimave në 29 të vdekur.

40 persona ndodheshin në hotelin në fjalë, në rajonin e Abrucos, në momentin kur ai u përfshi nga vala e dëborës më 18 janar. 11 prej tyre mbijetuan, prej të cilëve 9 u nxorrën të gjallë, ndërsa 2 të tjerë ndodheshin jashtë hotelit dhe arritën të shpëtonin.

Kryeministri Paolo Gentiloni ka deklaruar se, autoritetet lokale nuk kishin marrë të dhëna për rrezikun që i kanosej zonës nga orteku. Por ai tha në Parlament se, nuk është momenti për të kërkuar “dashin e kurbanit”.

Orteku, me peshë rreth 120 tonë, goditi hotelin luksoz me një shpejtësi prej 100 kilometra në orë. Autopsia e kryer mbi 6 prej viktimave tregonin se shumica e tyre kishin vdekur për shkak të traumave fizike kur struktura ishte shembur, por edhe për shkak të asfiksimit dhe hipotermisë. Gentiloni tha se, një hetim penal është në zhvillim e sipër.

Disa të dhëna, të publikuara në mediat italiane, sugjerojnë se, zyra e prefektit në Peskara nuk i kishte marrë seriozisht thirrjet për ndihmë të dy personave që ishin jashtë hotelit dhe shpëtuan.

Skuadrat e shpëtimit arritën në vendin e ngjarjes disa orë pas tragjedisë. Atyre iu desh të shkonin pranë hotelit në këmbë pasi rrugët ishin të bllokuara për shkak të borës së dendur.

Top Channel