Australian Open, motrat Williams përballen në finalen e madhe

26/01/2017 00:00

Finalja e Australian Open e këtij viti kthehet në një çështje familjare. Do të jenë motrat Williams ato që do të diskutojnë trofeun e parë të vitit në turnetë “Grand Slam”, gjë që nuk ndodhte që nga viti 2009.

Në gjysmëfinale Serena Williams i dha fund përrallës së Mirjana Lucic-Baronit dhe e mposhti atë me rezultatin 2-0. Numri 2 i renditjes botërore nuk u lodh shumë në këtë ndeshje, setet e së cilës i fitoi 6-2 dhe 6-1, në vetëm 50 minuta lojë.

Më të vështirë e pati sfidën e saj Venus Williams, e cila arriti të thyejë amerikanen tjetër Coco Vandeweghe me rezultatin 2-1. Venus e humbi setin e parë 6-7 me “tie break”, por arriti të vendosë diktatin e saj në 2 setet e tjerë, 6-2 dhe 6-3. Për Venus Williams kjo është hera e dytë që arrin në finalen e Australian Open, pas asaj të vitit 2003, të cilën e humbi pikërisht kundër motrës së saj Serena.

Finalja e së shtunës do të jetë përballja e 28 mes dy motrave Williams. Bilanci i 27 ndeshjeve të para flet për Serenën që ka 16 fitore kundrejt 11 të Venusit.

Top Channel