Memaliaj, sytë nga skema e re kundër varfërisë

25/01/2017 00:00

Të paktën 580 familje në bashkinë e Memaliajt trajtohen me ndihmë ekonomike. Numri që është reduktuar mjaft vitet e fundit nuk lidhet me përmirësimin e kushteve të jetesës apo zbutjen e varfërisë.

Sipas Zyrës së Përkrahjes Sociale gjysma e familjeve që përfitonin ndihmë pak vite më parë janë larguar nga skema për shkak të kritereve përjashtuese si toka, apo të ardhurat nga emigracioni.

Por përgjegjësja e Zyrës bën me dije se shumë pak banorë të 5 njësive administrative janë në gjendje ta punojnë tokën dhe ta bëjnë atë efektive.

“Mundësitë për punësim janë 0. Nuk ka dhe shumica janë larguar jashtë shtetit. Ka familje që të ardhurat i kanë shumë të pakta dhe kërkojnë të marrin ndihmë ekonomike, por nuk lejohen sepse ka edhe kritere. Një nga këto kritere që i përjashton nga ndihma ekonomike është se një anëtar të familjes e ka jashtë shtetit dhe ajo nuk lejohet të përfitojë. Pavarësisht nëse ai nuk i dërgon para familjarëve të tij”, shprehet Oniada Rapi, Bashkia Memaliaj.
Prej 22 mijë banorëve që jetojnë aktualisht në të gjithë territorin e gjerë të bashkisë së Memaliajt gati 50% janë pensionistë.

Në 52 fshatrat e zonës vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është e vetëpunësuar në blegtori ndërsa niveli i papunësisë është vështirë të matet për shkak të informalitetit.

Bashkia e Memaliajt shpreson që funksionimi i skemës së re kundër varfërisë të mund të marrë në konsideratë faktorët që po lënë jashtë skemës qindra familje që jetojnë në skamje.

Top Channel