Trump firmos urdhërin ekzekutiv për murin me Meksikën

25/01/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv për ndërtimin e murit përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Ai gjithashtu ka firmosur një vendim që i heq fondet qyteteve amerikane që janë kthyer në strehë të emigrantëve të paligjshëm.

Trump tha në një intervistë televizive se, “në mënyrë absolute Meksika do të rimbursojë 100 për qind shpenzimet e Amerikës për këtë mur”.

Ndërtimi i një muri 2 mijë metra të gjatë në kufirin me vendin latin ishte një nga zotimet kryesore të miliarderit njujorkez gjatë fushatës presidenciale.

“Kemi folur shumë për këtë që nga fillimi”, tha Trump duke nënshkruar direktivat e tij gjatë një ceremonie të mbajtur këtë të mërkurë në Departamentin e Sigurisë së Brendshme.

Urdhërat ekzekutivë sa i takon emigracionit ilegal dhe sigurisë së kufijve pritet të jenë të shumtë. Përveç Meksikës, Trump pritet të njoftojë masa kufizuese edhe për emigrantët nga 7 vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, përfshirë Sirinë, Jemenin dhe Irakun.

Gjithashtu, ai pritet të ndalë aksesin në territorin amerikan për disa refugjatë, derisa procesi i kontrollit të tyre të bëhet më i rreptë.

Top Channel