“Stadiumi”, Demi: Marrëveshje “xhentëllmenësh”

25/01/2017 00:00

Pas marrëveshjes së arritur ditën e sotme që Partizani të zhvillojë ndeshjet e mbetura si pritës në stadiumin “Selman Stërmasi”, presidenti i këtij ekipi, Gazmend Demi, për Top Channel, falenderoi si kryetarin e bashkisë ashtu edhe homologun e tij për sjelljen prej “xhentëllmeni”.

Ndër të tjera në intervistë, ai ka vendosur t’i bëjë thirrje të dyja tifozërive, të mos merren me ekstremitete. “Të gjithë jemi qytetarë të Tiranës, pas ndeshjes jemi miq”, thotë Demi.

***

Gazmend Demi: Me presidentin e Tiranës bëmë një bisedë të qetë. Iniciativa ishte e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por edhe presidenti Halili u tregua i gatshëm. Mendoj se u bë një gjë e bukur dhe kryetari e tregoj veten me një rol shumë pozitiv. Tek e fundit ishte edhe në interes të Tiranës se pse mos t’i marrë 5 lekë. Mendoj se u bë një zgjidhje e bukur, falenderoj Veliajn dhe Halilin.

TCH: Ju e kuptoni edhe situatën e presidentit Halili, me tifozët…

Gazmend Demi: Ne e kemi trashur shumë këtë punën e tifozërisë. Të gjithë janë qytetarë të Tiranës, pas ndeshjes ata janë shokët tanë. Ne nuk duhet të merremi me ekstremitete. Nuk e di si funksionon klubi i Tiranës, por di si funksionon ai i Partizanit. Ai është një aset i qytetit që e ka marrë Tirana dhe ta gëzojë, edhe tifozët duhet të jenë dashamirës. Sot ata morën edhe një lajm tjetër që kryetari i Bashkisë do t’i njohë edhe disa borxhe që ka pasur Tiranë në kohën tjetër. Kështu nga ne do të përfitojë edhe disa të ardhura. Unë do të kisha dëshirë që Tirana dhe Partizani të ishin në vendet e para sot.

TCH: nëse do të ishit në pozita të kundërta: ju do të kishit një fushë, a do të lejonit Tiranën të luante aty?

Gazmend Demi: Nuk do të diskutohej fare, nuk do të kishte nevojë për iniciatorë dhe do ta tregojë koha. Së shpejti ne do të jemi me ministadiumin tonë, sa herë të ketë nevojë Tirana mund të luajë atje.

TCH: Cilat janë termat e kontratës së arritur?

Gazmend Demi: Kjo u mbyll me një marrëveshje, tashmë si të jenë rregullat.

TCH: Për çfarë periudhe do të zhvillojë Partizani ndeshjet në “Selman Stërmasi”?

Gazmend Demi: Ne flasim për pjesën e mbetur të kampionatit. Më pas unë besoj se do të realizohet stadiumi jonë, nëse jo atëherë do të flasim sërish. Pra, marrëveshja është për pjesën e mbetur të kampionatit, por edhe do të zgjasë edhe për një vit tjetër, nuk do të ketë asnjë problem.

TCH: Ç’po ndodh me atë ministadiumin, siç e quani ju?

Gazmend Demi: Puna po ecën shumë mirë, por jetojmë në Shqipëri dhe mund të ketë ndonjëherë ndonjë ngecje pa dashje. Për momentin jam shumë i kënaqur me punët. Aktualisht është stabilizuar fillimi i fushës. Unë e kam bindjen që të luajmë atje sezonin e ri.

TCH: Gjatë bisedimeve pati ndonjë diskutim…

Gazmend Demi: Jo, jo. Edhe zoti Halili ka meraket e veta, por ishte gjithçka korrekte. I bëj thirrje tifozërisë së Partizanit të jetë më korrekte sa ka qenë deri më sot, ta ruajmë atë stadium sikur është i yni. Nuk dua të dëgjojmë fjalë. Edhe ata duhet ta përshëndesin vendimin e zotit Halili dhe të kryetarit të Bashkisë.

TCH: Do të kishe dhe ndonjë thirrje për tifozërinë e Tiranës, të cilët duken shumë të acaruar dhe janë vënë kundër…

Gazmend Demi: Tifozëria e Tiranës, edhe asaj i bëj të njëjtën thirrje. Ne jemi dy ekipe të kryeqytetit. 90 minuta jemi në ndeshje, pas saj unë kam shumë shokë tifozë të Tiranës me të cilët diskutojmë edhe si ka dalë ndeshje. Edhe ata duhet të jenë të qetë.

Top Channel