Balili, Meta letër Nishanit: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë

25/01/2017 00:00

Ilir Meta ka kryer një veprim që asnjë kryetar Kuvendi nuk e ka bërë ndonjëherë. Ai i ka kërkuar presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për një prej çështjeve më të nxehta të qeverisë, arrestimin e munguar të Klement Balilit.

Kohët e fund ka pasur replika në distancë mes ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm për çështjen e Balilit, i konsideruar si Eskobari i Ballkanit, për shkak të rolit që luante në furnizimin me drogë përmes Greqisë.

Në letër kryetari i Kuvendit vëren se, partnerët amerikanë dhe europianë kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase nga organet kompetente shqiptare, sipas akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Por e kujt është përgjegjësia? Meta kërkon që kjo çështje të sqarohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbajtjen e të cilës e kërkon sa më shpejt të jetë e mundur.

Aty synohet të bëhet analilza e veprimeve ose mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështjen “Balili”.

“Thirrja e mbledhjes për këtë çështje do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare”, shkruan kryetari i Kuvendit.

Ndërkohë, burime nga Presidenca thonë se Nishani e ka marrë letrën në konsideratë dhe pritet të thërrasë shumë shpejt mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Top Channel