Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se ka kërkuar nga shefja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Federica Mogherini, që të kritikojë sjelljet e Prishtinës.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, ka thënë kreu i qeverisë serbe, do të jetë një sinjal se shqiptarët nuk duan dialog, por duan të kërcënojnë paqen e brishtë në Ballkan.

Sipas televizionit publik serb, që pretendon për një informacion ekskluziv, Vuçiç gjatë takimeve të Brukselit është shprehur i bindur se dialogu është rruga e vetme.

Ndërkohë, më radikal është shprehur presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, i cili ka ripërsëritur frazën “kurrë pavarësi Kosovës”.

Ndërkohë, hulumtuesja për Kosovën në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd, Maja Bjellosh ka shprehur pakënaqësi ndaj qasjes së BE-së në këtë proces.

“Ka pak ndryshime me ardhjen e Mogherinit. Më shumë janë presione individuale ndaj Serbisë dhe Kosovës sesa një pajtim për dialog. Kemi kuptuar që kanë rënë dakord, por si, kur dhe me çfarë ritmi nuk e dimë”, deklaron Bjellosh.

Një hulumtim i bërë nga kjo organizatë dy ditë më parë tregon se shumica e qytetarëve serbë, ose tre të katërtat e tyre, janë pro dialogut. Por, dilemat janë të mëdha pasi gjendja nuk ka ndryshuar shumë.

“Bashkimi Evropian është shumë i pranishëm edhe në Kosovë edhe në Serbi dhe e dinë mirë se çfarë ndodh këtu. Por, reagimet ndodhin vetëm kur rreziku për jetët e njerëzve është real. Bashkimi Evropian shpesh, për shkak të stabilitetit dhe paqes në rajon, hesht ndaj ngecjes së procesve demokratike dhe reformave”, thekson Bjellosh.

Ndërkohë, shtypi serb vlerëson se gjëja më e rëndësishme që është arritur në këtë proces është vazhdimi i dialogut.

Top Channel