Rënia e korrupsionit, Rama: Vlerësim për reformat e thella

25/01/2017 00:00

Vetëm pak pas publikimit nga “Transparency International” të Indeksit të perceptimit të korrupsionit për 2016-n, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të me 39 pikë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë vlerësim, që flet për rezultatet e reformave të thella të qeverisë së tij.

“Ka ende shumë për të bërë, por faktet janë fakte dhe ky vlerësim nga një burim i pavarur e prestigjioz ndërkombëtar, flet qartë për rezultatet e para të reformave tona të thella për të bërë shtet”, shkruan kryeministri.

Ndërkohë, në foton shoqëruese me statusin e tij, kryeministri thekson se në 3 vite qeverisjeje nga e majta, Shqipëria përmirëson me 33 vende renditjen e saj në Indeksin e perceptimit të korrupsionit nga “TI”, nga vendi i 116 që ishte në 2013-n në të 83-tin sot.

Sipas raportit, krahasuar me një vit më parë, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përmirësim në renditjen e përgjithshme krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel