Basha takon Daul, mbështetje PD për zgjedhjet e ardhshme

25/01/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim pune me presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul dhe eurodeputetin Eduard Kukan.

Në fokus të takimit kanë qenë çështja e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri dhe nevoja jetike për demokracinë dhe aspiratat europiane të vendit, që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Presidenti Daul pohoi edhe një herë se shumica europarlamentare është e qartë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës janë kushte të patjetërsueshme për hapjen e negociatave me BE-në dhe se Shqipëria duhet të përballet me këto probleme në mënyrë urgjente dhe të drejtëpërdrejtë.

Siç njofton PD, kryetari Basha e njohu presidentin Daul dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Bruksel me programin zgjedhor të Partisë Demokratike.

“Basha mori mbështetjen e zotit Daul për ndërmarrjen e një programi të thellë ndryshimi politik dhe ekonomik të vendit, me qëllim që Shqipëria të ndërpresë një herë e mirë ciklin e krizave dhe dështimeve politike dhe ekonomike dhe të përqafojë vlerat dhe qasjet europiane të mirëqeverisjes per qytetarët”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, PPE do të mbështesë dhe asistojë Partinë Demokratike gjatë procesit zgjedhor duke sjellë përvojën e vendeve anëtare, saktësohet në të.

Mbështetja e PPE u sanksionua edhe përmes Rezolutës për Shqipërinë të miratuar dje me votë unanime nga Asambleja Politike e PPE.

Top Channel