Palët ulin tonet pas darkës së “pajtimit”

25/01/2017 00:00

Pas takimit të nivelit më të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ftoi palët të zbatojnë marrëveshjen dhe të përmbahen në komente, mbi diskutimet që u zhvilluan me ndërmjetësimin e saj.

“Ishte një takim që e thirra, sepse tensionet ishin shumë të larta në nivele shqetësuese. Ndaj ishte një takim jo i lehtë, por pozitiv dhe konstruktiv, me zotimin e 4 pjesëmarrësve se do të angazhohen në një dialog në nivelin më të lartë. Do të mbajmë një sesion tjetër dialogu së shpejti. Ne ramë dakord që të fokusohemi te dialogu, jo vetëm si procedurë, por dhe në frymën e mirë të tij. Pashë dje respekt dhe qasje konstruktive në tryezë. Sa më shumë ata komentojnë mbi njëri-tjetrin, aq më pak mbështetet ky sens i angazhimit në dialog. Ndaj shpresoj se do të sigurohemi, që secili do të komentojë më pak dhe do të angazohet më shumë për të zgjidhur problemet që kemi në tryezë”, tha Mogherini.

Të martën në mbrëmje pas takimit, Presidenti Hashim Thaçi tha se dialogu është i domosdoshëm.

“Pala kosovare ka kërkuar nga BE-ja të bëjë presion mbi Serbinë, lidhur me provokimet e fundit dhe se Kosova do të përgjigjet në mënyrë institucionale ndaj tyre”, ka thënë Thaçi.

Me mesazhet se ‘Kosova është Serbi’ është paraqitur Presidenti Tomislav Nikoliç, i cili përkundër toneve të tij, edhe ai pranon se dialogu është i domosdoshëm. Për kryeministrin Vuçiç, palët u pajtuan të sillen me përgjegjësi dhe të bisedojnë në mënyrë më serioze, duke mos folur keq për palën tjetër.

Top Channel