Dëshmitari këndon himnin dhe akuzon Nokën për përgjime

25/01/2017 00:00

Një dëshmitar i pazakontë u paraqit në Komisionin hetimor mbi realizimin e përgjimeve të paligjshme përmes pajisjes “IMSI Catcher”. Oficeri i Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Entjol Xhelili befasoi deputetët me veshjen, xhestet dhe qëndrimet e tij.

Në deklarimet e tij, Xhelili dëshmoi se pajisje përgjuese dhe trajnime për to janë zhvilluar edhe në kohën kur vendi qeverisej nga demokratët.

“Sa i përket pajisjes IMSI Catcher, kanë hyrë pajisje përgjuese vazhdimisht edhe në kohën tuaj, edhe në vitin 2011, në kohën kur ju ishit ministër”, tha Entjol Xhelili, specialist i Forcave Operacionale.

Nisur nga kjo dëshmi, deputetët e mazhorancës pritet t’i kërkojnë Parlamentit zgjatjen e periudhës për kohën e hetimit.

Në komision dëshmuan edhe dy zyrtarë të burgjeve, të cilët pohuan se oficeri Entjol Xhelili ka hyrë në dy raste me një automjet brenda perimetrit të sigurisë.

“Automjeti është futur konform rregullores dhe çdo procedure kontrolli, regjistrimi etj.”, tha Besnik Kaptelli, ish-shef i Policisë së Burgut Peqin.

“Ka hyrë një person te porta e sigurisë dhe ka qëndruar për afro 9 minuta pa u futur në institucion”, tha Gëzim Gjoni, ish-oficer Informacioni në Burgun 302.

Për deputetët e opozitës, që publikuan edhe shënimin në një nga librat e shërbimit, ky është një fakt që policia ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në burgjet e vendit.

Top Channel