SOROS: Financuam Reformën në Drejtësi, e duan 96% e shqiptarëve

25/01/2017 00:00

“Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, i financuar nga George Soros, shfrytëzoi prezantimin e një studimi kombëtar mbi pandëshkueshmërinë, për të sqaruar pozicionin e saj lidhur me Reformën në Drejtësi.

Drejtori ekzekutiv, Andi Dobrushi pranon se Fondacioni ka financuar Reformën në Drejtësi dhe se është krenar për këtë.

“E gjej të udhës të sqaroj dy gjëra, duke pasur parasysh tymnajën e krijuar muajt e fundit lidhur me rolin e Fondacionit në Reformën në Drejtësi. Ka dokumente të mjaftueshme që dëshmojnë përfshirjen e Fondacionit dhe jemi shumë krenarë që kemi qenë të përfshirë. Është një reformë që mbështetet nga 96 për qind e shqiptarëve. Kemi mbështetur financiarisht, bashkë me Ambasadën amerikane dhe projektin e delegacionit të Bashkimit Europian, të gjithë procesin”, tha Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv “OSFA”.

Dobrushi sqaron të gjithë pozicionin e Fondacionit në Reformën në Drejtësi.

“Kemi një marrëveshje me Parlamentin, që detajon mbështetjen që Fondacioni i jep procesit. Kemi pasur një ekspert, ish-gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut. Pjesa tjetër i jemi përgjigjur Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi”, tha më tej Andi Dobrushi.

Top Channel