Janë me mijëra dosje që së shpejti do të arkivohen në ambientet e reja të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit. Projekti i nisur që në vitin 2013 tashmë është gati. Drejtoresha e Autoritetit, Genta Sula thotë se detyrë kryesore do të jetë zbardhja e të kaluarës dhe gërmimi në heshtjen dhjetëra vjeçare.

“Kemi sot një ide për volumin e dosjeve. Janë me mijëra të tilla. E kaluara jonë është ende e paqartësuar dhe barra e punës është e madhe. Do thyejmë heshtjen disa vjeçare, do i përballim njerëzit me fajet e të shkuarës. Këto histori janë plagë të vjetra”, deklaroi Sula.

3 kërkesat e para për pastërtinë e figurës tashmë kanë mbërritur. Pas përfundimit të infrastrukturës së duhur, projekti për hapjen e dosjeve do të marrë udhë.

“Kemi thyer heshtjen dhe e nisëm këtë projekt jo për qëllime apo përfitime elektorale, por sepse e kishim një detyrim. Shqipëria nuk mund të ishte i vetmi shtet pa hapur ende arkivat”, u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.

Mesila Doda bëri publike 3 kërkesa, nga të cilat, sipas saj, duhet të nisë puna e autoritetit.

“Hapja e dosjeve duhet të nisë nga nënshkruesit e pavarësisë. Më pas, të hapim dosjen “Çamëria” dhe dosjen “Kosova” për të nxjerrë në dritë historinë e kombit tonë”, tha Doda.

Top Channel