Gjermania nuk do të mbrojë më nderin e udhëheqësve të huaj

25/01/2017 00:00

Qeveria gjermane ka njoftuar këtë të mërkurë se nuk do të përfshihet më në çështjet e mbrojtjes së nderit të udhëheqësve të huaj.

Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas tha se Gjermania do të hiqte ligjin, sipas të cilit kërkohej aprovimi i qeverisë për të lejuar hetimet ndaj kujtdo që dyshohej të kishte ofenduar një kryetar të huaj shteti, duke e justifikuar këtë me faktin që ai ishte “i vjetër dhe jo i domosdoshëm”.

Vitin e kaluar, qeveria gjermane u vu në një pozicion të vështirë, për shkak se miratoi një kërkesë të Turqisë për të lejuar prokurorët të hetonin një gazetar komik televiziv, i cili shkroi një vjershë sarkistike në lidhje me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Prokurorët, pak kohë më vonë e mbyllën hetimin ndaj komikut Jan Boehmermann, duke theksuar mungesën e provave që do të vërtetonin se ai kishte kryer një krim të dënueshëm penalisht.

Rasti në fjalë vështirësoi edhe më tej marrëdhëniet e tensionuara mes Berlinit dhe Ankarasë. Megjithatë, udhëheqësit e “ofenduar” të huaj mundet ta ndjekin ende në rrugë ligjore një rast shpifjeje apo fyerjeje ndaj tyre.

Top Channel