Parashikimi i publicistit amerikan: Kosova, test i Rusisë për Trumpin

25/01/2017 00:00

Ditë më parë, ekspertja britanike për çështjet ruse, Mary Dejevsky hodhi idenë se Moska mund ta njohë Kosovën, si pjesë e përpjekjeve për afrimin e Rusisë me Amerikën, tani që në Zyrën Ovale është ulur Donald Trump.

Por gazetari dhe publicisti amerikan, Thomas E. Ricks ka krijuar në mendjen e tij një tjetër skenar. Në një artikull të botuar në revistën “Foreign Policy”, Ricks paralajmëron mbi rrezikun e një lufte të hapur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dëshira e presidentit amerikan, Donald Trump, për të shmangur konfliktet me Moskën mund të ketë pasoja për të ardhmen dhe stabilitetin e një sërë shteteve, e Kosova është një prej tyre, shkruan publicisti.

Për Ricks, zgjedhja e Trumpit president hedh dyshime mbi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta mbrojtur Kosovën. Duke pasur parasysh komentet e presidentit të ri mbi NATO-n dhe propozimet ndaj Rusisë, përkrahja duket se më shumë shkon në drejtim të Serbisë, vazhdon ai, duke argumentuar se veprimet e fundit të Serbisë në prag të zgjedhjes së Trumpit vështirë se mund të jenë të rastësishme.

Duke e ditur se Rusia tani ka më shumë liri veprimi, pasi Trump është i fuqishëm, Serbia mund të llogarisë se Rusia do t’i mbështesë ata nëqoftëse nisin operacion gjoja “për të mbrojtur serbët” në veri të Kosovës, e në këtë mënyrë ata mund të konsiderojnë NATO si blof.

“Sa do të jetë Trumpi i gatshëm të rrezikojë marrëdhëniet me Rusinë, nëse trupat serbe hyjnë në veriun e Kosovës?”, ngre pyetjen Ricks, dhe përgjigjja që jep vet është se administrata e re edhe mund të jetë e gatshme ta braktisë Kosovën.

Projekti i shtetndërtimit mund edhe të portretizohet si dështim, që Clintonët nuk duhet të ishin angazhuar. Përpos kësaj, shumica e kosovarëve janë me përkatësi myslimane e nuk kanë gjasë të fitojnë shumë simpati nga mbështetësit e Trumpit.

Top Channel