Basha: 31-vjeçari vrau veten për dritat

25/01/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një postimi në Facebook ka bërë të ditur se një 31-vjeçar në Kamëz ka vrarë veten pasi nuk paguante dot faturën e energjisë elektrike dhe premtoi se partia e tij nuk do të lërë “asnjë familje në errësirë se nuk paguan dot energjinë“.

“Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…” Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamëz, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës. Fatura që i duhej të paguante, në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat, ishte 80 mijë lekë të rinj. Klajdi, babai i një fëmije të mitur, në pamundësi të sigurimit të shumës së parave i ka dhënë fund jetës duke u vetvarur. Kjo dramë e përsëritur këto vite për shkak të pamundësisë së pagesës së energjisë duhet të marrë fund! Ne nuk do të lemë asnjë familje në errësirë se nuk paguan dot energjinë. Deri në 200 kë energji për muaj do ta paguajë shteti për familjet në pamundësi ekonomike”, shkruan Basha.

Kreu i PD-së premton se në qeverisjen e tij, “buka, uji dhe dritat do të jenë të garantuara për çdo familje. Qytetari nuk do të jetë më i harruar dhe i braktisur në dëshpërim”.

Top Channel