F1, Ross Brawn: Duhen ndryshime, t’u japim mundësi edhe të vegjëlve

25/01/2017 00:00

Drejtori i ri i garave të “Formula 1”, Ross Brawn ka shpjeguar synimet e tij për ta bërë sportin më të ndjekur të automobilizmit më të pastër dhe më të thjeshtë, në mënyrë që më shumë skuderi dhe më shumë pilotë të mund të fitojnë.

Ish-drejtuesi i Mercedesit, i cili është emëruar si drejtor menaxherial i garave nga pronari i ri i “Formula 1”, është shfaqur kritik ndaj disa ndryshimeve të rregullores gjatë viteve të fundit. Brawn tha se donte që të “ngushtonte diferencat mes majës dhe fundit” dhe t’i jepte Formulës 1 një shtrirje më të gjerë.

“Unë i kam idetë, ne duhet t’i studiojmë ato dhe ndoshta t’i përdorim në vitin 2018 apo 2019”, tha ai.

Brawn nuk harroi pa përmendur shembullin e Leicester Cityt në Premier League, një ekip që mundi të transformohej nga një kandidat për mbijetesë, në kampionë të Anglisë në një hapësirë kohore prej 12 muajsh, e mbi të gjitha me një buxhet të kufizuar.

62-vjeçari tha se “të gjithë ne e dimë ngjashmërinë mes Leicesterit dhe asaj që mund të ishte ideale në F1. Pikërisht kur një ekip i mirë, në një vit të jashtëzakonshëm dhe me një pilot të madh, vërtet të mund të sfidojnë për titull. Për momentin kjo gjë është e pamundur”.

Brawn është vënë në krye të disa ekipeve menaxheriale, pas largimit të Bernie Ecclestone nga pozicioni i shefit ekzekutiv. Presidenti Chase Carey, i emëruar pas marrjes së F1 nga “Liberty Media”, mban tashmë rolin e Ecclestone.

Por çfarë duhet të ndryshojë? Carey ka theksuar planet për ta promovuar më mirë këtë sport, duke organizuar më mirë garat në vendet respektive, e me një përdorim më të gjerë të mediave dixhitale e sociale. Brawn, nga ana e tij, ka qenë tejet kritik ndaj vendimeve të Ecclestone, siç ishte adoptimi i dyfishit të pikëve në garën e fundit prej vitit 2014, si dhe përpjekja afatshkurtër për të ndryshuar formatin e kualifikueseve (provave zyrtare) në fillim të sezonit të kaluar.

Po teknologjia, a duhet të ndryshojë? Brawn tha se aspekti “high tech” i Formulës 1 ishte një pjesë kyçe e ideve të tij, por shtoi se “duhet gjithnjë një balancë mes teknologjisë dhe aspektit sportiv”. Dhe më e rëndësishmja, a do të mund të fitojë titullin kampion një pilot i mirë me një skuderi të ashtuquajtur “të vogël”? Pjesë e diskutimeve për mungesën e konkurrueshmërisë është pikërisht shpërndarja e pabarabartë e buxhetit mes skuderive të mëdha dhe atyre të vogla.

“Niveli i burimeve të shfrytëzuara nga ekipet kryesore e ka bërë diferencën me të më vegjlit tejet të madhe. Ideja ime është që të mund të nxjerrim, në momente të paparashikuara, një ekip nga fundi që të mund të fitojë. Për momentin, gjithsesi, kemi vetëm dy apo 3 skuderi që mund të fitojnë, ndaj duhet ta shpërndajmë”.

Top Channel