“Oscars 2017”, me më shumë “ngjyrë”

25/01/2017 00:00

Çmimet “Oscar”, sivjet nuk do të jenë aq “të bardhë” sa në vitin 2016, kur shkaktuan debate të mëdha për mungesën e të nominuarve me ngjyrë.

Rritja e diversitetit te kandidaturat për çmimet më të mëdha të kinematografisë, këtë herë u pa qartë, megjithatë Cheryl Boone Isaacs, presidentja e organizatës “AMPAS” përgjegjëse për ceremoninë, këmbëngul se ky nuk ishte një reagim ndaj polemikave të ashpra të vitit të kaluar.

“Si çdo vit, edhe këtë radhë prurjet ishin të mëdha, e puna e bërë ka qenë e jashtëzakonshme. Është më shumë çështje ciklike. Sivjet pati shumëllojshmëri, e kjo është përgjigjja”, tha Cheryl Boone Isaacs, presidente e “AMPAS”.

Boone Isaacs shpjegon se, ndryshimi i formatit të shpalljes së kandidaturëve, nga “live” që ka qenë deri më tani, në video të regjistruara prej të nominuarve të mëparshëm, është pjesë e një strategjie të Akademisë së Filmit për më shumë ndërkombëtarizim.

“Ne jemi një organizatë globale dhe këtë po përpiqemi të evidentojmë. Duam të mbërrijmë te të gjithë prodhuesit e mëdhenj të filmave nëpër botë. Duam t’i përfshijmë në diskutimet mbi filmin. Shumë të tillë i kemi kthyer në anëtarë të Akademisë, në një kohë kur as vet nuk e kishin idenë se një gjë e tillë mund të ndodhte vërtet”, tha Cheryl Boone Isaacs.

Presidenti i shoqatës afrikano-amerikane të kritikëve të filmit, Gil Robertson, mendon se “Hollywood”-it do t’i duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje tregjeve të huaja. “Një pjesë e mirë e fitimeve që nxjerrin studiot amerikane vijnë nga jashtë kufijve, – arsyeton ai, – ndaj duhet të tregohemi të gatshëm t’iu shërbejmë edhe këtyre komuniteteve”.

Top Channel