Hollande viziton kampet e FARC-ut në Kolumbi

25/01/2017 00:00

Presidenti francez Francois Hollande u takua me udhëheqësit e lëvizjes më të madhe rebele në Kolumbi, në një kamp rural në Perëndim të vendit.

Hollande, i shoqëruar nga homologu i tij kolumbian Juan manuel Santos, u ofroi krerëve të FARC-ut ndihmë për programet e çmiminit dhe në fushën e kërkimeve për të humburit.

Franca ka kontribuar me 20% të fondeve të BE-së për të mbështetur procesin e paqes në Kolumbi. Kjo e fundit nënshkroi një marrëveshje paqeje nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund dekadave konflikti.

Presidenti Hollande është i pari president francez që viziton Kolumbinë pas 30 vitesh. Sipas tij, pakti i paqes në Kolumbi është shembull që duhet ndjekur.

“Çarmatimi dhe shpërbërja e forcave rebele është e pakthyeshme”, deklaroi Hollande, i cili la gjithashtu një mesazh me shkrim në kamp.

Udhëheqësit e FARC në zonë vlerësuan vizitën e Hollande dhe thanë se angazhimi i fuqisë së pestë në botë për paqen në Kolumbi është një ogur shumë i mirë për suksesin e saj.

Më shumë se 350 vëzhgues të OKB-së janë shpërndarë në shumë kampe të FARC-ut në Kolumbi, ku do të mbikëqyrin çarmatimin e rebelëve gjatë një periudhe 6-mujore.

Top Channel