Sulme terroriste në Somali, 13 të vdekur. Plagosen edhe gazetarë

25/01/2017 09:15

Plot 13 vetë humbën jetën në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, pas përplasjes së një makine bombë në portën e një hoteli. Forca sigurie dhe gazetarë u mblodhën me shpejtësi në vendngjarje, por pikërisht në atë kohë, i njëjti vend u bë skenë e një shpërthimi të dytë. Ky i fundit u arrit të xhirohej nga një kamera e agjencisë së lajmeve “Reuters”. Disa reporterë mbetën të plagosur.

Hoteli “Dayah” frekuentohet shpeshherë nga politikanë. Rreth një duzinë njerëzish mbetën të plagosur e u dërguan me urgjencë në spital. Të vdekurit, nga ana tjetër, përfshijnë si civilë, ashtu dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Radioja “Andalus”, e cila ka lidhje me “al-Shabaab”-in, njoftoi se pas sulmit vdekjeprurës qëndron pikërisht grupi i egër militant. Deri në vitin 2011, “Al Shabaab” kontrollonte Mogadishun dhe një pjesë të mirë të Somalisë.

Bombat dhe sulmet me armë zjarri në kryeqytet ishin diçka e zakontë për të. Grupi kërkon rrëzimin e qeverisë vendase të mbështetur nga Perëndimi dhe vendosjen e interpretimit të tij të rreptë të Islamit në mbarë territorin e vendit.

Përgjatë dy viteve të fundit, forcat somaleze në bashkëpunim me trupat e Unionit Afrikan kanë arritur t’i zmbrapsin militantët e dhunshëm islamikë nga fortesat kryesore urbane, por ai mbetet aktiv nga bazat e veta në zonat rurale të Somalisë.

Top Channel