Shëndetësia falas, si përfitojnë nga skema 600 mijë të pasiguruar

24/01/2017 00:00

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shpjegoi në studion e lajmeve të Top Channel se si do të funksionojë skema për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore të 600 000 personave të pasiguruar.

“Prej disa ditësh ka hyrë në fuqi një akt ligjor që edhe 600 000 vetë të pasiguruar të jenë pjesë e rimbursimit të barnave, ashtu si gjithë të tjerët. Si realizohet kjo? Këta persona i drejtohen mjekut të familjes, ndjekin hallkat e sistemit të referimit dhe mund të pajisen me kartën e sigurimit. Nga mjeku i familjes, tek mjeku specialist, marrin rekomandimet përkatëse, u lëshohet një recetë me rimbursim dhe paraqiten te farmacisti”, tha Beqaj.

Në lidhje me shifrat e publikuara nga INSTAT-i, që thotë se shpenzimet e qytetarëve për shëndetësinë janë ende të larta, ministri u shpreh: “Jemi angazhuar që të ulim këto shpenzime të qytetarëve dhe masat e marra po japin frytet. Nga viti 2014 në vitin 2015 kemi patur një ulje të shpenzimeve nga xhepi me 25%. Kjo ka ardhur si pasojë e më shumë shërbimeve pa pagesë dhe uljes së çmimit të barnave”.

Top Channel