F1, kërkohet një “Montecarlo” edhe në SHBA

24/01/2017 00:00

Një prej lëvizjeve të para të “Liberty Media”, që mori nën kontroll të drejtat e “Formula 1”, do të jetë implementimi i një projekti që do të shtojë në kalendar një garë në rrugë qyteti, në SHBA. Pronarët e rinj të kampionatit më spektakolar të garave me makina do të ravijëzojnë ndryshime pas zëvendësimit të Bernie Ecclestone në fronin e F1-shit.

Presidenti Chase Carey tha për agjencinë “Associated Press” se nuk do të jetë i vetëm në komandën e “Formula 1”, siç ishte paraardhësi i tij, por do të bashkëpunojë me një ekip për më të mirën. Por biznesmeni me pamjen karakteristike, që është edhe zëvendëspresidenti i “Century Fox”, tha se kompania e tij do të ruajë me fanatizëm garat tradicionale europiane.

Aktualisht pista e Austin në Teksas është ajo e garës së vetme amerikane në “Formula 1”, por Chase Carey beson se një tjetër qytet mund të mikpresë garën që do t’i ngjajë entuziazmit të një “SuperBowl”-i.

“Ne do të donim të shtonim një garë, që të kthehej në joshës në SHBA, në një qytet me emër, ndoshta në Nju Jork, Los Angeles, Miami, Las Vegas. Duhet një qytet, ku njerëzit ta vizitojnë për 3-4 ditë dhe gara e Formula 1 të jetë epiqendra e tyre”, tha biznesmeni amerikan për “Formula 1”.

Top Channel