“Shtyhen” zgjedhjet në Kavajë

24/01/2017 00:00

Vendimi që mban firmën e fundit të Elvis Rroshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës është ai i 23 dhjetorit, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit për vitin 2017.

Por pas shkarkimit të tij nga Kryeministri Edi Rama, me vendim të Këshillit të Ministrave, bashkia drejtohet nga dy nënkryetarët, një nga PS dhe tjetri nga LSI, ku vetëm Klodian Shehi ka marrë kompetencat e Elvis Rroshit.

Në Bashkinë e Kavajës puna vijon normalisht, pavarësisht faktit se prej 3 javësh ky institucion nuk e ka drejtuesin e saj, atë që qytetarët e zgjodhën me votë më 21 qershor 2015.

“Bashkia nuk drejtohet vetëm nga z.Rroshi. z.Rroshi, në bashkinë që ka marrë përsipër të drejtojë, ka një staf i cili i përgjigjet më së miri nevojave të bashkisë. Këto detyra s’i kemi marrë përsipër sot, unë kam mbi 4 vjet. Kjo detyrë ka vazhduar edhe përpara datës 29, përpara se të ndodhte kjo që ndodhi. Kam mbuluar punë në mungesë të zotit Rroshi për arsye pune apo personale. Unë jam nënkryetari dhe kam të drejtën e firmës për çdo çështje apo problematikë që ka lidhje me bashkinë”, thotë nënkryetari i Bashkisë, Klodian Sheshi.

Klodian Shehi e ndan zyrën me nënkryetarin tjetër të bashkisë, Parid Xhihani, i cili mbulon sektorin e çështjeve kulturore. Vendimet i marrin bashkë, ndonëse nuk e mohojnë faktin se çdo ditë u duhet të takohen me kryetarin e tyre.

“Rroshi është kavajas dhe ne na takon të bisedojmë e të takohemi përditë si qytetar, si koleg. Z.Rroshi deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese vazhdon të mbetet kryetar, pavarësisht se është i pezulluar, vazhdon të mbetet kryetar i bashkisë së Kavajës”, thotë Xhihani.

Ky vit elektoral Bashkinë e Kavajës e gjen me një buxhet më të madh, rreth 4 miliardë lekë me fokus kryesor urbanizimin e zonave rurale dhe investimet në bujqësi. Përveç peshës së punës së përditshme, Shehi dhe Xhihani ndajnë edhe dëshirën që Elvis Rroshi të rikthehet në detyrë.

“Mua më vjen mirë që ai të rikthehet në detyrë për atë çka ka bërë qytetin e Kavajës””, thonë ata.

Qytetarët janë të ndarë në këtë pikë.

Top Channel