Më shumë shpresë për të prekurit nga tumoret

24/01/2017 00:00

Një ilaç i ri besohet të ketë potencialin për të ndryshuar mënyrën sesi trajtohen disa forma tumori. Shkencëtarë nga dy firma amerikane janë duke punuar së bashku me ilaçin e quajtur zyrtarisht si PF-06647020, që prek disa tumore agresive, të cilat janë tejet të vështira për t’u kuruar, përfshi lloje të caktuara kanceri të gjirit, vezoreve dhe mushkërive.

“Shpresojmë që të shkulim tërësisht kancerin nga rrënjët”, tha eksperti Marc Damelin nga “Pfizer”, një kompani farmaceutike me seli në qytetin e Nju Jorkut.

Damelin është duke punuar mbi këtë ilaç të ri me Scott Dylla nga “AbbVie Stemcentrx”, një kompani e krijuar nga bashkimi i “AbbVie”, me seli në Illinois, me “Stemcentrx”, një firmë e vogël bioteknologjike e bazuar në Kaliforni.

“E kemi krijuar këtë ilaç në mënyrë që të shkojë pikërisht deri në rrënjët e tumorit, – tha Damelin. – Kemi ofruar gjithashtu kimioterapinë që vret këto qeliza”. Rishfaqja është diçka e zakonshme në format agresive të kancerit, përfshi kancerin TNBC të gjirit, atë të vezoreve dhe tumorin NSCLC e mushkërive, të cilat janë tejet të vështira për t’u kuruar.

Ilaçi i krijuar ka rezultuar i suksesshëm dhe efektiv te minjtë dhe majmunët, por edhe në testimet te qeniet humane që po zhvillohen së fundi. “Terapia është në thelb diçka e ngjashme me raketat e orientuara”, tha Damelin.

Dylla, nga ana e tij shpjegon se “raketa” në këtë rast është një molekulë antitrup që i bashkohet qelizës kanceroze në zhvillim. Dhe, për faktin që shkencëtarët bashkëngjisin një tjetër ilaç kundër kancerit në këtë antitrup, ilaçi i ri ofron kimioterapinë drejtpërdrejt te qelizat kancerogjene dhe i vret ato.

Testimet e para në kushte laboratorike janë duke u zhvilluar me pacientë, tumoret e të cilëve nuk u përgjigjen më trajtimeve të tjera, ose janë rishfaqur. Damelin thotë se rreth 1/3-ta e pjesëmarrësve me kancer në vezore janë duke shfaqur shenja pozitive. Dylla konfirmon gjithashtu se shenja pozitive kanë shfaqur edhe ata me kancer TNBC të gjirit dhe me tumor NSCLC të mushkërive, edhe pse nuk dha shifra në përqindje.

Një tjetër testim i rëndësishëm te qeniet njerëzore pritet të nisë më vonë gjatë këtij viti. E nëse ilaçi i ri funksionon më së miri, atëherë ai do të mund të zëvendësonte kimioterapinë standarde dhe trajtimi do të ishte shumë herë më pak toksik. Sipas Damelin, ky ilaç do të ndihmonte edhe pacientët me tumor në stomak, ezofag dhe prostatë, sikurse edhe ata me lloje agresive të leuçemisë.

Top Channel