“Australian Open”, gjysmëfinale zvicerane për meshkuj, e amerikane për femra

24/01/2017 00:00

Tenisti zviceran Roger Federer vijon të shohë përpara në “Australian Open”, e pavarësisht se tashmë një veteran i këtij sporti, mposhti në 3 sete Mischa Zverev për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut, ku do të gjejë përballë bashkëkombasin e tij Stan Wawrinka, i cili më herët kishte eliminuar francezin Jo-Wilfried Tsonga.

Eliminimi i gjermanit Zverev, i cili merrte pjesë për herë të parë në karrierë në çerekfinalet e një “Grand Slam”-i, për Federer erdhi pas triumfeve të mëparshme ndaj Berdych dhe Nishikorit. Setet u mbyllën me rezultatin 6-1, 7-5 dhe 6-2. Në moshën 35-vjeçare e 174 ditë, zvicerani shijon sërish gjysmëfinalet e “Australian Open”, duke u bërë kështu më i vjetri pas Artur Ashe, i cili në vitin 1978 e kishte arritur këtë objektiv në moshën 35 vite e 177 ditë.

Sa i përket gjysmëfinales totalisht zvicerane, Federer mbetet superior me 18 fitore në 21 përballjet e mëhershme. Por Wawrinka, sidomos kur arrin të shkojë larg në një “Slam”, ka treguar se është një tenist tejet i rrezikshëm për ta pasur si kundërshtar.

Ndërkohë që në tenisin e femrave kalojnë më tej Venus Williams dhe Coco Vandeweghe, të cilat eliminuan respektivisht rusen Pavlyuchenkova dhe spanjollen Muguruza, për t’u përballur tashmë në një gjysmëfinale tërësisht amerikane. 36-vjeçarja amerikane mposhti rusen me sete 6-4 dhe 7-6. Edhe Venus futet në “Top 3”-shen e më të vjetërve që arrin në një gjysmëfinale “Grand Slam”-i. Dy të parat janë Billie Jean King, 39 vjeç, dhe Martina Navratilova, 38 vjeç.

Top Channel