Reforma në drejtësi, të premten hidhet shorti për KED

24/01/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta njoftoi përmes një komunikate për mediat se më datë 27 janar, në orën 10:00 do të hidhet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas njoftimit, Kryetari i Kuvendit ka miratuar rregullat dhe procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Shorti, thuhet në njoftim është i hapur dhe do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve nga institucionet e përcaktura nga ligji, Avokati i Popullit, përfaqësues të grupeve parlamentare, përfaqësues të ambasadave të huaja dhe medias.

Veç këtyre, gjatë hedhjes së shortit mund të marrin pjesë edhe vetë kandidatët për anëtarë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli i Emërimeve është një nga organet e reja që ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi. Detyra e këtij këshilli është verifikimin e kandidatëve jogjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel