PDIU: Greqia, ende e ngërthyer nga nacionalizmi

24/01/2017 00:00

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka dënuar ashpër “reagimin absurd” të qeverisë greke ndaj rekrutëve shqiptarë.

Sipas saj, ky reagim vërteton se Greqia është ende e ngërthyer në nacionalizmin e shekullit të shkuar, duke mos pranuar identitetin ndryshe të shtetasve të saj.

“Është e njëjta gjë sikur Shqipëria të mos pranonte në ushtri asnjë minoritar, e për më tepër të mendojë që këta shtetas do mund të ishin deputetë, kryetarë bashkie apo ministra që në Shqipëri i gjen shpesh”, ka deklaruar PDIU.

Partia në fjalë kujtojn “rastin skandaloz” të paradës zyrtare të ushtrisë greke, ku këndoheshin këngë që bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve e për të cilën qeveria greke nuk ndërmori të njëjtat masa.

“Autoritetet shtetërore greke po tregojnë mungesë respekti të thellë për të drejtat e njeriut. Po na shfaqen me nota primitiviteti dhe atavizmi edhe përballë respektimit të shtetasve të vetë”, vijon reagimi i partisë shqiptare.

PDIU shprehet më tej se, Greqia është i vetmi vend europian që nuk njeh minoritetet dhe nuk pranon se një shtetas grek mund të ketë kombësi apo besim fetar të ndryshëm.

“Krimi i ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë tregon për një mentalitet që zë fill vite të shkuara e që vazhdon edhe sot.

PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare të njohë partnerët tanë në NATO mbi shkeljet e vazhdueshme që shteti grek bën ndaj bashkëkombasve tanë, duke nisur nga shkelja e hapur dhe e vazhdueshme e të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kërkojmë gjithashtu që të bëhen me dije këto veprime në dhunim të drejtave të njeriut në instancat e Këshillit të Europës, OSBE, BE dhe OKB, ku respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve ka një rëndësi primare”, përfundon deklarata e PDIU-së.

Top Channel