Votimi elektronik, PD kundër kreut të KQZ. Biba: Nuk bëhet

24/01/2017 00:00

Çështja e votimit elektronik është shndërruar në një debat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për Partinë Demokratike është e papranueshme që kryetari Denar Biba të dalë kundër.

“Nuk e keni detyrimin ligjor ta bëni këtë dhe e keni të ndaluar një gjë të tillë. Si kryetar i KQZ-së një gjë e tillë s’ishte e parashikuar në kod dhe duke qenë se u shtua një kompetencë si detyrim i ri mund të bëni dorëheqjen. T’i drejtoheni opinionit publik dhe të thoni se nuk e bëj dot këtë punë. Ç’punë keni ju”, deklaroi përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti.

“Është bindja ime, sikurse e juaja. Nuk ka asnjë diskutim më qesharak në këtë pragzgjedhjesh, në këto 5 muaj dhe jo në të ardhmen, sesa aplikimi i elektronikës plotësisht në 2017-n”, reagoi kryetari Biba.

Në debat ndërhyri edhe nënkryetari i KQZ, i propozuar nga Partia Demokratike, por kryetari nuk ndryshoi qëndrim. “Je më i pakti dhe i vetmi që s’duhet ta quash as qesharak, as joqesharak”, deklaroi Hysen Osmanaj.

Pavarësisht debatit, vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin të gjitha unanime. Dhe të gjitha vendimet ishin për përgatitjen e zgjedhjeve të 18 qershorit, përfshirë ndarjen e fondeve për partitë parlamentare, ku sipas vendeve në Parlament, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën pjesën e luanit.

Top Channel